Vitet e lumturisë që vijnë nga zhvendosja në një vend të panjohur, nga martesa e porsalidhur, nga respekti i jashtëzakonshëm shqiptar ndaj të huajve, nga kënaqësia e punës në koncerte teksa shoqëronte në piano këngëtarë të shquar të vendit dhe të huaj të famshëm, nuk zgjatën shumë. Një ditë prej ditësh, fajtor për planet e arratisjes nga vendi ku me dorë të hekurt sundonte Enver Hoxha, burri i saj, artisti Stavri Rafael, arrestohet dhe i nënshtrohet një burgimi të gjatë.

Maria Ferenc Rafael nuk zgjodhi rrugën e shumë grave të huaja si ajo, që gjatë procesit të mbylljes së Shqipërisë, u ndanë nga burrat, dhe u kthyen në vendet e tyre, në Rusi, Rumani, Poloni e gjetkë. Hungarezja Marie, me vogëlushin e saj nuk lëvizi nga vendi. Ajo nuk u thye, as në goditjen që pësoi me arrestimin e burrit, as kur shokët e shoqet e punës në Opera i kthyen shpinat, dhe as kur e dëbuan nga Tirana në Fier.

Fieri ishte një rreth me zona të caktuara për internime. Njerëzit internoheshin tok me familje, ose si ndëshkim individual. Nëpër fshatrat e fushës vendoseshin familje të padëshiruara nga pushteti. Për ta, internimi nuk kishte fund. Fëmijët e tyre lindnin rriteshin, martoheshin dhe vdisnin në fshatrat e fushës, mes dy lumenjve, Vjosës dhe Semanit.

Kish të internuar edhe në qytet. Ishin zakonisht individë të shquar, militantë të vjetër, si intelektuali i rrallë, Sejfulla Malëshova, ashtu edhe gjeneralë dhe komandantë të luftës partizane.

Në Fier e mbajnë për ngjarje fatlume dërgimin këtu të zonjës së re, Maria Rafael, asaj gruaje të heshtur, që në vënd të psherëtimave, ankesave, apo mallkimeve, të vetmit tinguj që nxori ishin ata të pianoforteve, mbi të cilat lozi dhe u mësoi etydet nxënësve të shumtë.

Banorët e Fierit e vështronin këtë grua të hijshme që ecte gjithnjë me një hap të shpejtë, me dinjitet të rrallë, drejt punës, dyqanit, apo agjencisë së udhëtimit, që i mundësonte vizitat e rregullta tek i shoqi prapa telave, nëpër kampet e ndryshme të të burgosurve, anekënd Shqipërisë.

Maria u lejua të luante publikisht në piano, si në orkestrën e qytetit, ashtu edhe në atë të estradës tonë profesioniste. Por, sikurse dritëhijet në trurin e sëmurë të diktaturës, asaj i hiqej kjo e drejtë për një kohë dhe më pas, grishej të luante përsëri këtu. Ndahej pa lot nga pianoja, Maria. Thjesht e mbyllte kapakun mbi tastierë dhe ngrihej e ikte, sikurse iket kur mbaron dita dhe vjen nata, për t’u kthyer të nesërmen….

…Edhe pse, për mësuese Marian, këto netë zgjasnin dy, tri, ndonjëherë edhe katër vjet. Asaj iu dha mundësia të bënte pedagogjinë e pianos dhe ne, nxënësit e saj, ishim fatbardhët, të lidhur me fatin e zi të artistes (mësueses sonë të dashur) hungareze!

Ajo vinte në provat tona të estradës apo koncerteve madhorë, me një përpikmëri shëmbullore, ulej në stolin përpara instrumentit dhe bënte punën e saj, pa u shqetësuar për ndonjë zgjatje të paparashikuar të provave, pa u nervozuar nga përsëritjet, për shkak të gabimeve të orkestrantëve.

Ajo që u bënte më shumë përshtypje kolegëve të saj, dirigjentëve, regjisorëve, bashkëpedagogëve të shkollës, ku jepte mësim, ishte një qëndrim i studiuar mirë prej saj, gjatë përballjes me ta në rrugët e qytetit: asnjë ndalesë! Asnjë buzëqeshje! Asnjë shenjë njohje! Asnjë përshëndetje!
Një shkëmbim në rrugë pa e kthyer kokën nga ana tjetër, që të mund të merrej si mospërfillje. Jo, jo! Dukej sikur ajo, thjesht, pat fikur përkohësisht dritëzat e kujtesës.

Gruaja e re në tërë ato vite dukej sikur jetonte vetëm për një ditë,
atë ditën emocionuese dhe dramatike të takimit, që i lejohej me të shoqin, në dhomat e burgut.

Me kalimin e kohës, grave vizitore u lejonin dhe fjetjen në shtrat me bashkëshortët e burgosur. Mund t’i marrim me mend ëndrrat rinore të vashës hungarezes për shtratin martesor dhe realitetin e shtretërve të shëmtuar të burgjeve shqiptarë.

Këtu duhet thënë, ama, se vetëm pas lirimit të burrit nga burgu, Maria mbeti shtatzënë dhe lindi vajzën, kukullën e saj të shumëpritur…

Artistja e rritur afër brigjeve të Danubit, dukej sikur pat ardhur në Fierin tonë, jo për të sjellë kulturën e pianos, por kulturën e lartë të vuajtjes njerëzore. Në ato vite jete të ashpër, ne kujtojmë karakteret e prishur, rrugaçërinë, përbuzjen e njerëzve. Marian, këtë hyjni të dhimbjes, e deshën që të gjithë: të mirë e të këqinj, të vegjël e të mëdhenj, gra e burra, komunistë dhe njerëz të deklasuar.

Imazhi i saj, tingujt e saj të pianos, mbi këtë skenë, brënda kësaj salle ku jemi sot, duket sikur nuk janë shuar ende. Ende nuk janë shuar nga sheshet e Fierit, nga mbitarracat, nga rrugët e sallat, ku u shfaq ajo.

Dhe si dëshmi për këtë, sjellim një nga veprimet më të bukura qytetare, që mund të jenë bërë në këto vite plot mundime: Këshilli Bashkiak i qytetit të Fierit, me vendim të njëzëshëm, e shpalli hungarezen fisnike Maria Rafael (mbiemri hungarez), Qytetare Nderi të Fierit! Gjest përfaqësues i jashtëzakonshëm, veprim mjaft prekës, që pasqyron mirënjohje të thellë, drejtësi dhe dritë.

Pas vitit 90 Maria,Stavri dhe e bija bashke me djalin Adin u vendosen ne hungari ,Adi me nusen Mariola Poro qendruan ne Budapest ndersa familja ne veri te Hungarise.

Maria nderroj jete mes familjareve dhe miqeve

Disa morën rrugën nga Shqipëria! Shkuan atje, për ta përcjellë artisten, mësuesen Maria në amshim dhe për të rikujtuar veprën e saj të pabujshme, por mjaft dinjitoze.

Mirënjohje dhe Paqe për të vuajturën, të paharruarën, Maria Rafael!”
.
.
Nga Pellumb Kulla