Historia e përgjakur e “1 majit”

Sot është ”1 Maji” që njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Qysh kur ”1 Maji” është shpallur si dita botërore e punëtorëve, ajo përkujtohet me protesta dhe manifestime duke kërkuar më shumë kushte dhe të drejta.

Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe vetëm si e tillë e ka kuptimin. Kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos në vitin 1886 e cila përfundoi me gjak.

Por historia e ditës së punëtorëve fillon më herët se sa ai vit; ”8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855-n e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre.

Nga Kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ata që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate kanë qenë padyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh.

Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 Maji i vitit 1886 ra ditë e shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë.

Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë.

Related image

Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen, 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre.

Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan.

Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë prove, tetë eksponentë anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar si ditë për punëtorët me shumë dëshmorë e gjak u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës dhe të drejtave të punëtorëve.

Më 20 korrik 1889 Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima.

Vetëm në gusht të vitit 1891, Kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si ”festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”.

Sot, pas 129 vjetësh, 1 Maji kujtohet në mbarë botën me protesta si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve dhe kërkimit të të drejtave të tyre me çdo kusht. Ky është ”1 Maji” nëpër botë; I arritur me jetë e gjak punëtorësh. /LAPSI.al

Nje foto qe na kujton nje histori te njejte me Shqiperine komuniste

Me siguri keni dëgjuar diçka për vendin e gjymtuar të Koresë së Veriut, por nuk ka shumë foto origjinale që tregojnë kushtet e vështira. Koreja dikur ishte një komb derisa vendi u nda pas Luftës së Dytë Botërore, me Veriun të bëhej një shtet komunist ndërsa Jugu u bë një demokraci. Eshte shumë e rrallë për fotografët perëndimorë të dokumentojnë shoqërinë e varfëruar nën diktaturën e Kim Jong-un. eshtë një aventurë e rrezikshme pasi është e paligjshme të fotografosh jetën e përditshme dhe t’i tregosh ato jashtë vendit. Kjo fotografi e jashtëzakonshme që eshte kontrabanduar jashtë vendit e tregon kohen e komunizmit ne Shqiperi,

Foto E RRALLE e 1913-ës/ Kjo ishte vila e Esat Pashë Toptanit në Reth të Durrësit

Kjo është vila e Esat pashë Toptanit në fshatin Reth të Durrësit, pranë Erzenit, e fotografuar në tetor 1913 nga francezi Auguste Leon.

Vila dykatëshe rrethohej nga një bahçe e bukur me dorëzonja, trandafila dhe pemë dhe përdorej nga Esati si shtëpi verore.
Ajo ishte pjesë e çifligut të pashait, që përfshinte disa dhjetëra hektarë pyje, kullota dhe sipërfaqe të mbjella.
Në vitin 2016 shkova në Reth për të gjetur ndonjë gjurmë të kësaj vile që duket aq bukur në fotografi, por asgjë nuk kishte mbetur. Mund të ishte shkatërruar nga lufta ose nga zelli për prishur me themel çdo gjë të vjetër.

Vila ka patur një farë historie. Princ Vidi ka qene aty në pranverë të vitit 1914, siç dëshmon Esati në një intervistë. Në fillim të vitit 1916, sipas disa fotografive, Esati strehoi në vilë princin serb të kurorës Aleksandar, i cili arriti në Shkodër dhe pastaj në Durrës me një pjesë të ushtrisë, të dërrmuar nga marshimi i gjatë pas pushtimit austriak.

Në shkurt 1916, Esati solli në Reth gjeneralin francez të fuqive aleate, Piarron de Mondesir, të cilin pasi e shëtiti në pronat e veta, e ftoi të pinte çaj në ballkonin elegant të vilës.
Sipas kujtimeve të gjeneralit, pashai i tha se dy mijë vjet më parë, aty kishte qenë shtëpia verore e Ciceronit, oratorit dhe prozatorit të dëgjuar romak, i cili meqenëse kishte marrë anën e Pompeit, kishte ardhur të strehohej në Durrës nga frika e Jul Qezarit.

Thua vërtet Ciceroni i madh të ketë banuar në Reth, madje pikërisht aty ku ndodhej vila? Ku e dinte Esati?
Histori të harruara, por gjithsesi një vilë mjaft e hijshme për Shqipërinë e vitit 1913! /Ilir Ikonomi

Sabit Brokaj:si më vdiq në duar Enver Hoxha

Sabit Brokaj ka rrëfyer momentet e fundit të jetës së Enver Hoxhës duke e lidhur përshpejtimin e sëmundjes së tij me vetëvrasjen e Mehmet Shehut.

Ndër të tjera, Brokaj shprehet se Enveri u rëndua pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

“Për mua, vetëvrasja e Mehmetit vetëvrau Enver Hoxhën. Ishte shkatërrim për të.

Njerëzit që i qëndronin afër Enverit, e vunë re një gjendje të tillë.

Ai pati një rëndim të përshpejtuar të gjendjes shëndetësore, jo aq gradual saç ndodhte prej vitesh.

Efektet psiko-emocionale Enverin e rëndonin realisht.

Në aktivitetin e përditshëm fizik mund edhe të mos dukej, por kishte përjetime të forta psiko-emocionale”, thotë Brokaj në një intervistë për Panoramën.

“Ekipi i mjekëve e mbante tepër sekret gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës. Ne e kishim rreptësisht të ndaluar të tregonim se ku shkonim dhe çfarë bënim, përtej orëve që punonim në Fakultetin e Mjekësisë dhe në spital.

Agjenci të ndryshme, veçanërisht ajo jugosllave, krijonte lajme që “Enveri vrau veten”, ose “Enveri është shumë rëndë” etj., por kjo ka qenë loja normale e agjenturave të huaja. Sekreti për shëndetin e një udhëheqësi ruhet jo vetëm në vende të mbyllura si Shqipëria e asaj kohe, por edhe vendet perëndimore e ruanin me fanatizëm gjendjen shëndetësore të presidentëve, sepse dihej kishim të bënim me Luftën e Ftohtë mes dy blloqeve.

Sot që nuk kemi Luftën e Ftohtë, lajme të shëndetit rrjedhin më lehtë. Për vende si Shqipëria, gjendja shëndetësore e udhëheqësit si Enver Hoxha krijonte pasiguri për të ardhmen te populli”, vijon Brokaj.

“Ishte një periudhë kur agjencitë e ndryshme bënin lajme sikur Enveri ishte i vdekur, i vrarë, i helmuar, i sëmurë rëndë, invalid dhe ai si politikan duhet të jepte një mesazh nga meraku dhe për popullin. Por atij kur i mbushej mendja, nuk na pyeste më. Vetëm t’i zije rrugën dhe të mos e lejoje të dilte nga shtëpia”, thotë Brokaj.

Ai tregon edhe momentet e goditjes së Enverit, nga ishemia:

‘Ne rrinim gjithmonë dy mjekë roje, asnjëherë vetëm një. Unë, në ato momente, isha futur në dush dhe i them Isuf Kalos që të kishte pak kujdes deri sa unë të dilja nga banjo. Në rast nevoje, kishim tre butona që binin, njëri ishte i alarmit të madh nga dhoma e Enverit, e cila ishte përballë dhomës së mjekëve.

Kishim një buton interfoni, ku përgjithësisht Nexhmija kërkonte ndonjë këshillë dhe një buton për nevoja jo urgjente. Isufi, si mjek i familjes, nuk qëndroi aty, por shkoi në vilë, meqenëse kishte miqësi me fëmijët. Kur ra zilja e alarmit, unë sapo kisha dalë nga dushi dhe vajta menjëherë, ashtu siç isha. Mora mjetet mjekësore dhe hyra në dhomë.

Gjysma e trupit të Enverit ishte në dysheme dhe gjysma në shtrat, sepse shtratin e kishte të ulët. I mata pulsin dhe tensionin, ishin në rregull, gjë që tregonte se nuk kishte probleme me zemrën. Menjëherë protokolli na çonte në ishemi. Ishte në gjendje kome.

E shtrimë në shtrat dhe filluam trajtimin. Isufi ishte nga familja dhe nuk po vinte, unë isha me infermieren dhe ndihmësmjekun, pjesë të ekipit. Për një gjendje reanimacioni, optimumi kërkon pesë veta, minimumi tre. U lajmërua dhe ekipi i mjekëve dhe arriti shpejt.

Pas disa minutash, 20 apo 30 minutash, shkoi makina dhe i mblodhi. Enveri filloi të reagojë, sepse nuk ishte komë e thellë. Më thotë profesor Fejzi Hoxha, si gjirokastrit i mirë dhe i rregullt: “I ke shënuar ato që ke bërë deri tani në kartelë?” Unë i thashë: O do shkruaja, o do i jepja ndihmë shokut Enver, s’mund t’i bëja të dyja.

Shkoi te kartela dhe shënoi se ato gjykohen në fund. Nuk e harroj këtë qartësi të tij në ato momente. Në atë kohë erdhi Ramizi dhe Adili, ndërsa unë plotësova të gjithë protokollin e ndërhyrjeve të mia pas atij episodi. Por edhe kur vdiq Enveri, unë isha mjek roje.”

Në fund, Brokaj rrëfen edhe vdekjen e tij:

“Në mëngjes të 9 prillit. Në orën 9 të mëngjesit, Enveri doli pak. Një ditë më parë, më 8 prill, ai doli me karrocë me Nexhmijen, ka dhe një foto të asaj dite. Ka qenë e fundit e Enverit. Më parë, ai ka qenë rëndë si gjendje, por sapo ndihej pak më mirë, dilte nga shtëpia, e linte shtratin.

Rreth orës 9 të datës 9 prill i bëmë vizitën. Tensioni ishte mirë, ritmi i zemrës normal, si një gjendje për regjim shtrati. Enveri doli pak dhe ne ishim në dhomë. Bie zilja e alarmit. Vrapojmë në dhomën e tij. E gjetëm në vdekje klinike. E goditëm shumë herë me elektroshok, u rikthye zemra, u rikthye tensioni dhe u rikthye pa u çrregulluar deri në mesnatën e datës 11.

Gjatë kësaj kohe, Enveri ishte në gjendje kome të thellë, por zemra i punonte. Nuk iu rikthye koshienca, nuk iu rikthye as funksioni i veshkave. Në ato 1-2 minuta që ne rikthyem zemrën në jetë, nuk shpëtuam trurin. Truri kishte vdekur sepse nuk ishte furnizuar me gjak.

Edhe te njerëzit e shëndetshëm, nëse truri nuk furnizohet për 4-5 minuta, ai vdes e jo më te truri i Enverit, i cili ishte sklerotik, donte rikthim të shpejtë. Edhe veshka duket se ishte shumë e ndjeshme, sepse edhe urinimi nuk iu kthye.

Por ne vazhduam me shpresën se do të dilte nga kjo gjendje. Afër orës 13:00 zemra ndaloi, e dha aparati. Ishte i gjithë grupi i mjekëve aty.

Në këtë moment, unë nisa të bëj elektroshok, bëra goditjen e parë, bëra të dytën, pa asnjë rezultat. Kur bëra të tretën apo të katërtën, ishin nxehur elektrodat dhe Enveri dha përshtypjen se ndjeu dhimbjen nga nxehtësia, sepse u konsumua xheli që vendosja në elektroda.

Pasi bëra disa goditje, pashë nga ekipi për të thënë që nuk ka më shpresë, a duhet të vazhdoj?! Kryetar i ekipit të mjekëve ishte Petrit Gaçe. Kur kryqëzova shikimin me Gaçen, ai më tha: Lëre o Sabit…! Të gjithë qëndruam si të ngrirë. Pastaj filluan disa të bënin teatër. Dikush të qante, dikush të thurte vargje…”

NUK HARROHET 26 marsi 1999! Nuk jemi për hakmarrje – jemi për drejtësi!

IN MEMORIAM

Nga: Ma. sc. Besnik F. Hoti

Në përkujtim dhe në nderim të atyre burrave, grave dhe fëmijëve nga Krusha e Madhe, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, duke rënë në altarin e LIRISË.

26.03.1999 – 26.03.2019 bëhen 20 vjet nga gjenocidi dhe masakra më e madhe në Kosovë në Krushë të Madhe, fshat në Komunën e Rahovecit. Ky shkrimi vjen në 20 vjetorin e masakrës, në përkujtim dhe në nderim të atyre burrave, grave dhe fëmijëve nga Krusha e Madhe, që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, duke rënë në altarin e LIRISË. Sot e 20 vite me radhë, me të drejtë krushjanët kërkojnë që përgjegjësit e këtyre masakrave të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë e paharruar në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo luftë. Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi caqet serbe, kriminelët serbë në pamundësi për t’u përballur me forcat  e NATO-së dhe UÇK-së, mprehën thikat e tyre të krimit për të masakruar popullin e pambrojtur të Kosovës.

Fshati Krushë e Madhe dhe njerëzit e tij patën fatin e keq, me  25 dhe 26 mars, forca të mëdha ushtarake ia mësynë fshatit për të shfarosur  njerëzit e tij. Qindra ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, të udhëhequr nga eprorët e tyre, djegin Krushën dhe fshatrat përreth shtëpi për shtëpi, nxjerrin banorët në rrugë duke i dërguar herë në një vend dhe herë në tjetrin, për të kërkuar vendin se ku ishte më mirë t’i pushkatonin dhe masakronin.

Kriminelë të tjerë, të organizuar në formacione të ndryshme ushtarake dhe paramilitare ishin në ndihmesë të tyre. Serbët lokalë ishin bërë kryekriminelët dhe u prinin kriminelëve të tjerë serbë të ardhur nga Serbia. Këta kriminelë ishin të tmerrshëm në dukje, me fytyra të ngjyrosura dhe me shamia ngjyrash të ndryshme të lidhura në kokë.

Ndodhi ajo me e keqja për banorët e Krushës dhe fshatrave përreth: forcat paramilitare, policore, ushtarake të ndihmuar nga serbët lokal  vranë dhe masakruan, 242 persona.  Prej tyre: 207 janë të vrarë dhe të pagjetur nga Krusha e Madhe, ndërsa 35 nga të strehuarit në fshat, prej tyre 142 të identifikuar, 65 të pagjetur, në mesin e tw vrarëve janë 7 fëmijë, si dhe 5 femra.

Nga Tribunali i Hagës u gjetën: 8 varreza masive,  2 krematoriume, si dhe shumë varreza personale. Si pasojë e luftës janë plagosur 25 veta, ndërsa janë djegur 793 shtëpi, xhamia e fshatit, si dhe janë bërë shumë dëme të tjera materiale dhe teknike, pas largimit të forcave serb. Shumë shtëpi mbetën pa asnjë mashkull, 140 gra të veja dhe 548 fëmijë bonjakë. Sot Krusha e Madhe është jetimorja më e madhe në Evropë.

Ish-ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer, pas vizitës së tij në kontingjentin e ushtarëve gjerman në Prizren bashkë me ish-ministrin e mbrojtjes Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe, Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se  kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviqin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”

Po ashtu edhe ish-ministri i jashtëm britanik Robin Cook gjatë vizitës në Krushë me 24 qershor të vitit 1999 u shpreh:  “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj…kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo…jemi duke i ndjekur ata  që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve“ 

Këto personalitete me ndikim e mbajtën fjalën e tyre, nga dëshmit e gjetura për masakrën e Krushës së Madhe, Tribunali i Hagës bëri fajtor drejtpërsëdrejti kriminelin Millosheviq dhe bashkëpunëtorët e tij si: Millan Millutinoviqin, Nikolla Shainoviqin, Dragolub Ojdaniqin, si planifikues, nxitës, që urdhëruan përgatitjen dhe kryerjen e veprimeve siç janë: vrasje, dëbim, shkatërrim kulturor i objekteve fetare të shqiptarëve kosovarë, krim kundër njerëzimit dhe shkelje e zakoneve të luftës.

Po ashtu shumë personalitete ndërkombëtare dhe vendore gjatë këtyre 20 viteve kanë vizituar Krushën e Madhe siç janë: ish-kongresisti republikan dhe lobuesi për çështjen shqiptare në Kongresin Amerikan Joseph J. DioGuardi, sot president i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirli DioGuardi, Këshilltare për  Çështje Ballkanike pranë Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, miku dhe heroi i gjallë i dëshmuar i shqiptarëve Ambasadori William Walker.  Ish-presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu së bashku me zonjën e parë Nezafete Sejdiu. Ish-presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga.  Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta. Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani, Ish-presidenti i Republikës Alfred Moisiu. Gazetarë ndërkombëtarë dhe shumë personalitete të ndryshe nga e gjithë bota.

Murat Jashari, anëtar i familjes emblematike Jashari, i cili gjatë vizitës në Krushë të Madhe u  shpreh “Askund nuk mund të ketë shembull më të mirë të gruas shqiptare sesa në Krushë të Madhe, ku gratë kanë sfiduar dhimbjen dhe mentalitetin dhe rrisin fëmijët e tyre e rindërtojnë jetën

Tragjedia më madhe e Krushës vazhdon edhe 20 vite pas luftës, është fati i të PAGJETURVE. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare Mr. Ukshin HOTI. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, është sprovë e ndërgjegjes sonë politike, intelektuale, kombëtare, njerëzore.  Për familjet e personave të pagjetur, fati i tyre është plagë e thellë që e mban ende të gjallë trishtimin e këtyre familjeve. Qeveria  së  bashku  me institucionet tjera mbajnë përgjegjësinë që të angazhohet në zbardhjen e fatit të tyre.

Serbia e ka përgjakur Ballkanin gjatë viteve ’90 dhe për këtë mban përgjegjësinë. Serbia dhe serbët mbajnë mbi kurrizin e tyre barrën e krimeve më të rënda kundër njerëzimit dhe spastrimit etnik në Kosovë. Krushjanët me të drejtë kërkojnë të dëmshpërblehen nga shteti serb. Është përfolur shumë herë nga krerët e institucioneve të Kosovës, për padi kundër shtetit serb, por edhe pse kanë kaluar 20 vite nga mbarimi i luftës, ende nuk ka asgjë konkrete.

Ajo që ndodhi në Krushë të Madhe dhe në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 duhet të jetë në dosjen e Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe në dosjen e faktorit ndërkombëtar. Normalizimi i marrëdhënieve fillon nga pendesa e shtetit që bëri krimet.

Lufta e UÇK-së ishte sakrifica e popullit që e solli lirinë, që e ndërgjegjësoi opinionin ndërkombëtar, që e bindi atë se në Kosovë po ndodhte terrori sistematik, depërtimi i dhunshëm i popullatës, se Serbia po bënte krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Lufta e UÇK-së ishte lufta e drejtë, lufta çlirimtare në mbrojtje të dinjitetit dhe identitetit kombëtar dhe njerëzor.

LAVDI E PËRJETSHME, LAVDI QËNDRESËS HEROIKE TË DËSHMORËVE TË KOMBIT DHE GJITHË TË RËNËVE PËR LIRI!

Shënime për autorin

Ma. Sc. Besnik F. Hoti – i lindur në Krushë të Madhe të Rahovecit, djali i dëshmorit të kombit Dr. spec. Fahredin Hotit, gjatë luftës humbi edhe vëllain Kreshniku 13 vjeçar, gjyshin Shemsedinin 70 vjeçar.

Ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, nëntor 2017- shkurt 2019,  doktorant për Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Universitetit Evropian të Tiranës, ish- ligjërues për: Konfliktet dhe Siguria Ndërkombëtare në Kolegjin “VICTORY”, Prishtinë nga vitit 2010 deri në mars të 2016. 

Del dokumenti turk/ Pavarësia e Shqipërisë u shpall me aprovim nga Perandoria Osmane

Gazeta turke pro-qeveritare, “Milliyet” ka publikuar një dokument ku thuhet se Perandoria Osmane ka dhënë dritën jeshile për pavarësinë e Shqipërisë. Dokumenti është siguruar nga Dr. Mehmet Tutuncu, që ka hetuar arkivat osmane. Ai thotë se vendimi për pavarësinë e Shqipërisë është miratuar nga Perandoria.

Në dokument thuhet se Këshilli otoman i Ministrave miratoi një rezolutë për të mos penguar pavarësinë e Shqipërisë. Në dokument thuhet se guvernatori i Tripolit, Ismail Qemal Bej, lejohet të kthehet në Shqipëri për të mbledhur një kongres që do shpallë shtetin e pavarur.

Po ashtu theksohet se kërkesa e komandant Esat Pashës për ndalimin e këtij kongresi duhet të refuzohet. Studiuesi që ka publikuar dokumentin thekson se ndryshe nga sa pretendohet, Ismail Qemal Bej erdhi në Shqipëri me dijeninë e qeverisë otomane dhe veproi me dijeninë e saj.

LASPI.AL