Trump, Biden me mesazhe drejtuar vendit për Ditën e Falenderimeve

Presidenti i zgjedhur Joe Biden përcolli përgëzimet e Ditës së Falenderimeve dje, duke thënë se vendi do ta kapërcejë pandeminë dhe duke u bërë thirrje amerikanëve të vazhdojnë betejën kundër koronavirusit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara njofton se zoti Biden foli në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të ndjeshme të infektimeve të reja dhe kur po shtohet pasiguria ushqimore për shumë amerikanë.

Megjithë rritjen e madhe të rasteve të reja të infektimeve në mbarë vendin, amerikanët po sfidojnë udhëzimet dhe po udhëtojnë për festën.

Duke bërë thirrje për sakrifica në komentet e tij për Ditën e Falenderimeve, Presidenti i zgjedhur Joe Biden u tha amerikanëve të dyfishojnë pëpjekjet dhe të vazhdojnë betejën kundër përhapjes së virusit.

“Mos u dorëzoni nga mërzija. E di që mundemi dhe që do ta mposhtim virusin. Amerika nuk do ta humbë këtë luftë,” tha zoti Biden.

Të martën, Presidenti Trump ndoqi traditën e festës, kur i fali jetën gjelit të detit.

“Gjatë kësaj feste, ofrojmë falenderime të përjetshme për mjekët, infermierët, punonjësit e kujdesit shëndetësor, shkencëtarët që vazhdojnë betejën me “virusin kinez” dhe shprehim mirënjohje për vaksinat dhe terapitë që së shpejti do t’i japin fund pandemisë,” tha presidenti.

Gjeli i detit është pjata kryesore në tryezën e Ditës së Falenderimeve, por jo të gjithë amerikanët do të festojnë këtë radhë.

Radhët e gjata në qendra bamirëse që ofrojnë ushqim falas pasqyrojnë thellimin e mungesave ushqimore për shumë amerikanë gjatë pandemisë.

“Është e pamundur të sigurosh të ardhura kur nuk punon,” thotë një banore e Çikagos.

“Feeding America”, një rrjet me 200 qendra bamirëse që ofrojnë ushqim, përllogarit se në 2020 më shumë se 50 milionë amerikanë janë prekur nga uria, ose 35 milionë më shumë se para pandemisë.

Ndërkohë ish-nënpresidenti Biden po e kalon festën në qytezën bregdetare Rehoboth të shtetit Delauer, ku ai dhe bashkëshortja Jill kanë një shtëpi pushimi. Vajza e çiftit, Ashley Biden me bashkëshortin, do të kalojnë festën me ta. Presidenti zakonisht e ka kaluar këtë festë në shtëpinë e tij të pushimit në Mar-a-Lago, por këtë radhë po qëndron në Shtëpinë e Bardhë.

Mediat greke kritikojnë Monika Kryemadhin: Nuk njeh rrezikun e pandemisë, vetë shkon në spitalet italiane

Qasja e Monika Kryemadhit ndaj pandemisë së Covid 19 dhe refuzimi për të mbajtur maskën ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave greke. Së fundi telvizioni MEGA i ka kushtuar një kronikë bashkëshortes së Presidentit Ilir Meta, i cili i trashëgoi asaj drejtimin e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Ndërkohë që do duhej të jepte shembullin e mirë për qytetarët për të marrë masat mbrojtëse nga Covid 19, Kryemadhi raporton televizioni grek bën të kundërtën. MEGA citon një deklaratë të Kryemadhit dhënë Abc Neës në Shqipëri teksa thotë: “

“Unë nuk e njoh Covid. Kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa Covid”.

Televizioni grek i referohet edhe deklaratës së fundit të Kryemadhit, e cila tha se kishte kaluar koronavirusin, por nuk kishte kuptuar asgjë vetë. MEGA thekson këtu faktin se Kryemadhi e zbuloi në Itali faktin që kishte kaluar Covidin teksa ishte për një operacion. Me kritikë shoqërohet edhe raportimi që Monika Kryemadhi theu rregullat e pandemisë për ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku, si dhe fakti që ajo shfaqet pa maskë në publik.

Po kështu në kronikën e MEGA TV i bëhet jehonë injorimit që Monika Kryemadhi i bën shifrave në rritje të Covid në Shqipëri dhe mosbesimin e saj te sistemi shëndetësor i vendit të saj për aq kohë sa vetë shkon në Itali. Më tej televizioni përmend edhe disa shifra, rreth 6.7 milionë euro që janë shpenzuar në tetor e nëntor nga më të pasurit e vendit për t’u kuruar në Turqi. Ndërkohë thotë MEGA, më të varfërit vdesin në Shqipëri sepse s’kanë mundësi të shkojnë jashtë shtetit. Për këtë cështje të ndjeshme, sipas televizionit grek, zonja e parë e Shqipërisë refuzon të përgjigjet dhe injoron rrezikun e pandemisë.

Rama në Abu Dhabi në takim me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe

Kryeministri Edi Rama është pritur në Abu Dhabi nga ministri i Jashtëm, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan.

Takimi vjen pas firmosjes së dy marrëveshjeve, njëra për fillimin e Rindërtimit të 2000 apartamenteve në Durrës dhe tjetra, për bashkëpunimin ekonomik ndërqeveritar me fokus investimet direkte.

Kreu i qeverisë shqiptare shoqërohet në këtë vizitë nga ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj si dhe ministrja e Ekonomisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Serbi/ Numri më i lartë i viktimave në 24 orë, 51 persona ndërrojnë jetë

Serbia ka regjistruar 7 606 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit.

Autoritetet shëndetësore serbe kanë raportuar se edhe 51 njerëz kanë ndërruar jetë, një rekord ky për Serbinë.

Në Serbi, për shkak të koronavirusit, aktualisht ka 6 722 njerëz në spitale, ndërsa 243 pacientë kanë aparate për frymëmarrje.

Një total prej 148 210 rastesh me koronavirus janë regjistruar në Serbi që nga fillimi i epidemisë.

Në shtetin serb, deri në këto momente, kanë vdekur nga virusi, 1 366 njerëz.

“Ju vrasës të mallkuar të fëmijëve dhe të moshuarve”/ Një makinë përplas portën e zyrës së Merkel, dy mesazhe për kancelaren

Një makinë u përplas në portën e zyrës së kancelares gjermane Angela Merkel në Berlin. Nga fotot e siguruara nga agjensia Reuters, vihet re se policia po inspekton një makinë që mban mbishkrimin “Ndaloni politikat e globalizimit” të shkruar me të bardhë. Por nga ana tjetër e makinës ka një mbishkrim tjetër, po aq domethënës. Në anën e majtë të makinës është shkruar parulla “Ju vrasës të mallkuar të fëmijëve dhe të moshuarve”.

Nga vendngjarja nuk raportohen viktima. Dhjetëra policë dhe një makinë zjarrfikëse kanë mbërritur me shpejtësi pranë zyrës së kancelares.  Merkel kishte planifikuar të mbante një video konferencë me guvernatorët e 16 lenderave gjermanë, në të cilën do të diskutonte një shtrirje e bllokimit të koronavirusit dhe hapat e mëtejshëm për të luftuar pandeminë.

Rama ka ikur fshehtas të bëjë vaksinën anti-covid në Abu Dabi

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një koment në faqen e tij në Facebook ku thotë se burime nga aeroporti i Rinasit e kanë informuar se këtë të mërkurë kryeministri Edi Rama është nisur me një avion në dispozicion për në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Berisha thotë se nuk dihet qëllimi i këtij udhëtimi të fshehtë pikërisht në 1-vjetorin e tërmetit që goditi rëndë vendin tonë, por shton se vaksinimi anticovid mund të jetë arsyeja kryesore e udhëtimit blic sepse sipas tij të enjten Rama do të kthehet sërish në Tiranë.

“Pavarësisht nga arsyeja e këtij udhëtimi blic, unë dënoj me ashpërsinë më të madhe përdorimin nga Edvin Hajduti të avionit në dispozicion në vend të linjave tregtare. Një udhëtim me avion të madh si ky i Edvinit në dispozicion për në Abu Dabi shkon të paktën 200 mijë euro në një kohë kur në spitalet covid vdesin të sëmurë për mungesë oksigjeni” – shkruan Berisha.

Zyrtarisht nga kryeministria nuk ka asnjë reagim për një udhëtim të kryeministrit Rama dhe as një reagim për këtë akuzë të ish-kryeministrit Berisha. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pranuar të vaksinohen me një produkt të prodhuar në Kinë. Kjo vaksinë është marrë edhe nga sheiku i Dubait. ©LAPSI.al

Fshati digjet dhe kurva krihen

Eshte nje lajm qe marre piket me negative duke bere qe kjo te krahasohet me nje vdekje qe per ti hequr pak hidherimin ja moren nje kenge me te lehte dhe me nje gote rakije.Kjo tashme ndodhi dhe pritet te kete repertor tjeter per ditet ne vijim.Ministria ben mire qe te heqe stresin personelit dhe te semureve jo me saze dhe cingie, por te furnizoje me medikamente ne kohe ,si dhe te lejoje telefonat te semureve dhe e zgjedhin ata cfare te shikojne dhe degjojne.lerini hallexhinjte ne hall te tyre.Fshati digjet dhe kurva krihet.Turp.

Ja si e njofton kete lajm te turpshem per shqiptarin.

Një atmosferë ndryshe është krijuar mëngjesin e sotëm tek spitali “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohen pacientët e infektuar me Covid-19. Teksa vendi po përballet me një situatë të vështirë nga koronavirus, Ansambli i këngëve e valleve popullore ka vendosur që t’i bëjë një surprizë pacietëve dhe mjekëve të cilët prej muajsh ndodhen në vijën e parë të luftës.

Koncerti i sotëm ishte surprizë, ndërkohë mësohet se kjo atmosferë do të krijohet edhe ditën e nesërme.

Shume turp.Beje share kete lajm te miqte tuaj.

Ndërron jetë, në moshën 48-vjeçare, mjeku Bledi Nini

Vijon të rritet bilanci i viktimave në radhët e bluzave të bardha në vendin tonë si pasojë e Covid-19. Këtë mëngjes, ka ndërruar jetë, në moshën 48-vjeçare, mjeku i njohur Bledi Nini.

Lajmin e ka bërë të ditur, kreu i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, përmes një postimi në facebook ku i bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes, pasi virusi nuk është lojë mediatike.

“U nisa për në “Shkollën Tregtare” me të njëjtin optimizëm me të cilin kam dashur të përcjell mesazhet sensibilizuese nëpër shkolla, gjatë këtyre ditëve, por lajmi se miku e kolegu im, një nga mjekët më të talentuar vlonjat, Bledi Nini, e humbi këtë mëngjes betejën me covid-in, nuk është i thjeshtë për mua. Virusi nuk është lojë mediatike, kujdesuni për veten, përdorni maska dhe tregohuni të vëmendshëm ndaj të gjitha masave parandaluese! Pushofsh ne paqe, Bled”, shkruan Leli.

Të shumta kanë qenë reagimet në rrjetet sociale për mjekun e njohur, i cili shërbente si mjek ORL në QSUT.

“Sërisht humbje e madhe në radhët e bluzave të bardha. Humb jetën nga Covid-19, dr.Bledi Nini, në moshën 48-vjeçare. Ngushëllime familjes dhe kolegëve të tij…Sërish asnjë masë mbrojtjeje ndaj bluzave të bardha…Sërish heshtje nga kushdo…”, shkruan Shoqata e Infermierëve.