Heqja e pasaportave diplomatike për Kombëtaren/ Meta: Hakmarrje primitive, vendim absurd!

Presidenti Ilir Meta reagon për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit,duke e cilësuar këtë një vendim të paprecedentë dhe një hakmarrje primitive.

Sipas Kreut të Shtetit, është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë kuqezinjtë që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë.

Reagimi i Metës: 

Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.
Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.
Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese.
Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar. ⚽🇦🇱

Zgjedhjet e 25 prillit dhe Reforma në Drejtësi/ Palmer takime virtuale me Metën, Ramën dhe Bashën

Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit të SHBA Mathew Palmer do të zhvillojë një takim virtual me krerët e politikës në vendin tonë. Lajmi është ndarë nga Ambasada amerikane në Tiranëm në një njoftim që shkruan se zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Matthew Palmer pritet të bisedojë me Presidentin e Republikës Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Po ashtu në agjendën virtuale të Palmer është edhe një takim me krerët e refomës në drejtësi.

“Zv.Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA Matthew Palmer do të zhvillojë sot një “vizitë virtuale” në Shqipëri. Ai do të takohet me Presidentin Meta, Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për të diskutuar mbi përparësitë e Shteteve të Bashkuara, përfshirë pritshmëritë për zgjedhjet e 25 prillit. Zv.Ndihmës Sekretari Palmer do të takohet gjithashtu me kampionët e reformës në drejtësi. Ai do ta përfundojë vizitën e tij me një tryezë të rrumbullakët me gazetarë, të cilët kanë marrë pjesë në programet e shkëmbimit dhe trajnimit të SHBA”, shkruan Ambasada.