18 vjeçari shqiptar humbi jetën tragjikisht në aksident, mamaja e tij rrënqeth me fjalët e saj: E vrava unë

“E vramë ne, e vramë ne”. Denada bërtet me dëshpërim duke hyrë e duke dalë nga shtëpia, pa gjetur paqe brenda vetes. Të njëjtën gjë përsërit Krameri, vështrimi i të cilit është i zbrazët. Të dy janë burrë e grua, prindër të një djali, i cili fatkeqësisht humbi jetën në një aksident të rëndë në Itali.

Fëmija i vetëm i tyre, Alessio, 18 vjeç, humbi jetën pasi motori me të cilin udhëtonte doli nga rruga. E gjithë ngjarja ndodhi 3 kilometra larg shtëpisë.

“E kam vrarë unë”, shprehet mes lotësh Denada Bariamcanaj. “Më kërkoi: ‘Mama më dërgo ti’, por unë i thashë që isha e lodhur. Çfarë kam bërë, çfarë kam bërë”, shprehet ajo. “E kemi vrarë vetë. Jam unë ai që ia bleva motorin një vit më parë”, shprehet nga ana tjetër babai.

Alessio Bariamcanaj ishte student në një lice. Ai vdiq të dielën në mëngjes pas lëndimeve të rënda që kishte pësuar. Bariamcanaj u aksidentua të premten. I riu udhëtonte më një motor Yamaha 125 dhe u përplas me një shtyllë. Për dy javë Alessio do të merrte patentën.

Të premten pasdite, Alessio mori motorin për të shkuar tek një mik i tij, Gianluca. Edhe ky i fundit ndiqte studimet në të njëjtën shkollë me të. Të dy kishin rënë dakord që të vazhdonin stërvitjen së bashku. Por tragjedia ndodhi rreth orës 19:00. I riu humbi kontrollin e motorit dhe për shkak të shpejtësisë nuk mundi që të manovronte në rrugë. Ai goditi një shtyllë ndriçimi dhe për pasojë u dëmtua rëndë.

Sipas mediave italiane, përplasja ka qenë aq e fortë saqë Alessio ka rënë pa ndjenja në rrugë, ndërsa motori ka ecur prej inercisë derisa është ndaluar në një gardh. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e urgjencës dhe ai u dërgua me shpejtësi në një spital. Trumat më të rënda, Alessio i kishte në kokë dhe në bark. 1 orë pas përplasjes u lajmëruan edhe prindërit e të riut shqiptar.

“U lutëm dhe shpresuam gjithë natën”, thanë ata.

Përveç hidhërimit të thellë për vdekjen e djalit të tyre, dy prindërit kanë një ndjenjë të madhe faji. E ëma që refuzoi ta shoqëronte për shkak se ishte e lodhur dhe babait, i cili fajëson veten sepse i bleu motoçikletën.

“Ju lutem më thoni se është një ëndërr e keqe”, thotë Krameri. Përveç familjes, gjithë komuniteti i Piombino Dese është në zi për humbjen e këtij djaloshi të ri. Familja Bariamcanaj banonte prej 30 vjetësh në këtë zonë. Ata janë me origjinë nga Vlora.

Rama: Aeroporti i Kukësit hapet për pak ditë, çunat nga Londra do të përzgjidhen në bazë të numrit të sharjeve dhe përqeshjeve që më kanë bërë

Kryeministri Edi Rama tha se aeroporti i Kukësit do të nisë punën brenda pak ditëve. Ai zbuloi se avioni i parë që do të zbresë në këtë aeroport do të jetë ai i ‘Air Albania’, me “çunat e Kukësit”.

“Aeroporti i Kukësit për pak ditë do të hapë dyert për uljen e parë të Air Albania-s me çunat e Kukësit që do vijnë nga Londra të seleksionuar në bazë të numrit të sharjeve dhe të përqeshjeve që më kanë bërë mua kur thoja që do bëjmë Aeroport në Kukës”, u shpreh Rama.

110 milion euro Beketit/ Basha: Rama duhej marrë i pandehur, Agaçi duhet arrestuar!

Lulzim Basha ka komentuar gjobën 110 milion euroshe që ka marrë Shqipëria nga arbitrazhi për shkak të mbylljes së Agon Channel. Basha, i ftuar në Syri Tv tha se takimi që u zbulua mes Beketit dhe Agaçit, duhej ta çonte këtë të fundit drejt arrestimit, ndërsa Rama duhej marrë i pandehur.

“Një nga masat që do të marrim në kuadër të korrigjimit të padrejtësive të këtyre 8 viteve do të jetë përgjegjësia personale pra përgjigja me pasuritë personale të atyre që i kanë shkaktuar dëme të kundërligjshme shtetit shqiptar me vetëdije dhe rasti i Beketi-t është fare i qartë. Një media ka zbuluar një pjesë të vendimit që më thonë është maja e ajsbergut ku përfaqësuesi i Edi Ramës ulet me Beketin dhe i thotë ndrysho linjën editoriale që të të lëmë të qetë dhe kjo është një vepër penale, natyrisht, nëse prokuroria shqiptare do të kishte duart e lira sot sekretari i përgjithshëm do të ishte i pandehur ndoshta dhe i arrestuar” tha Basha. I pyetur nëse ky person ishte Agaçi, Basha ka konfirmuar.

“Ëngjëll Agaçi. Absolutisht po. Sot ndoshta dhe vetë kryeministri do ishte marrë i pandehur, siç janë marrë shumë nga kryeministrat, edhe presidentë të pandehur edhe në kohë fushate. Një nga vlerat e shtuara të 25 Prillit është që do t’i japë fund kulturës të pandëshkueshmërisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve që në vend ti ndëshkojnë, kriminelët” tha Basha.

Rama: Do të sjellim 50 mijë doza vaksinash ruse

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se një tjetër marrëveshje është arritur për të sjellë 50.000 doza të tjera të vaksinës ruse. Rama shkruan se brenda 10 ditëve vaksinat do jenë në Shqipëri. Për shefin e qeverisë drita e daljes nga tuneli sa vjen e zmadhohet.

Edi Rama: Sapo kemi arritur marrëveshjen për të sjelllë në Shqipëri 50.000 doza të tjera të vaksinës Sputnik brenda 10 ditëve😍Ne do ta fitojmë këtë luftë me forcën e karakterit e të kembënguljes sonë dhe do ta lemë shpejt pas tunelin e pandemisë, ku drita e daljes sa vjen e zmadhohet💪

Arrestohen modelet për shthurje publike pasi dolën nudo në ballkon

Një video e shpërndarë gjerësisht në mediat sociale, çoi në arrestimin e një grupi njerëzish nga policia e Dubait, nën akuzën e shthurjes publike. Në video shfaqeshin disa modele të zhveshura, të rreshtuara në një ballkon ndërsa po filmoheshin në lagjen Marina të Dubait.

Kjo ishte një tronditje e madhe për vendin arab, ku edhe puthja në publik apo pirja e alkoolit pa licencë, mund të dënohen me burg.

Shkeljet e ligjit për mirësjelljen publike në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë lakuriqësinë dhe sjellje të tjera “të turpshme”, sjellin dënime deri në gjashtë muaj burg dhe një gjobë prej 1900 dollarësh. Ndarja e materialit pornografik është gjithashtu e dënueshme me burg dhe gjoba të majme sipas ligjeve të vendit.

Gazeta e lidhur me shtetin, The National, raportoi se kjo dukej të ishte një “marifet publiciteti”, pa dhënë hollësi. Policia e Dubait tha se të arrestuarit për videon “e pahijshme” ishin referuar në prokurorinë publike.

“Sjellje të tilla të papranueshme nuk pasqyrojnë vlerat dhe etikën e shoqërisë së Emirateve”, -thuhej në deklaratën e policisë.

Emiratet e Bashkuara Arabe, megjithëse liberale në shumë aspekte krahasuar me fqinjët në Lindjen e Mesme, kanë ligje të rrepta sa i përket sjelljes. Ka pasur raste ku njerëzit janë burgosur për komentet dhe videot e tyre në internet.

Tenderimi i Portit të Vlorës/ PD kallëzon në SPAK ministren Belinda Balluku

Partia Demokratike e Vlorës kallëzoi sot në SPAK ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballukun, për shkelje në procedurën e tenderimit të Portit të Vlorës. Balluku akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas PD-së së Vlorës, Belinda Balluku ka skualifikuar në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore për “Prokurimin Publik” të disa ofertuesve që kanë marrë pjesë në këtë prokurim dhe gjithashtu ka pranuar ofertën e cila binte në kundërshtim me kriterin e përcaktuar në dokumentat standarte të tenderit.

“Me veprimet ose mosveprimet e kryera në procedurën e cituar më lartë janë konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” parashikuar në nenin 258 të Kodit Penal”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Albin Kurti refuzon vaksinat kineze të Ramës: Do marrim doza vetëm nga shtete që na kanë njohur

Kosova ka refuzuar ndihmën e Shqipërisë për të vaksinuar mësuesit. Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave nga çdo vend, siç e kanë edhe shtetet e tjera.

Ai është shprehur se orientimi i tyre është që vaksinat t’i pranojnë vetëm nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, gjë që bie në kundërshtim me Kinën.

“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, ka shtuar ai.

Ndërkohë që Shqipëria është shprehur e gatshme që të ndihmojë Kosovën në vaksinimin e mësimdhënësve, një gjë e tillë ka dështuar.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka bërë të ditur se në Shqipëri janë shpenzuar vaksinat e AstraZenecas dhe ato të Pfizer, prandaj kanë mbetur vetëm vaksinat kineze.

Vitia ka thënë se nuk ka pranuar që mësuesit e Kosovës të vaksinohen me vaksina kineze.

“Ne në fillim nga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur ofertë gjeneroze që të vaksinohet personeli shëndetësorë në Shqipëri, ku ne do të organizonim procesin e transportit. Në ndërkohë vaksinat erdhën me kontingjentin e parë dhe vaksinimi i personelit shëndetësor më shpejt ndodhi në Kosovë dhe kam kërkuar nga Qeveria e Shqipërisë që kjo të mundësohet edhe në vaksinimin e kategorive tjera. Fatkeqësisht numri i vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca janë shpenzuar, dhe kanë mbetur vetëm ato nga Kina”, ka shtuar ai.