
Ambasadorja amerikane e ka nxjerë më në fund kokën se për kë i ka pasur thirrjet e herëpashershme për mos përfshirjen e të inkriminuarve në zgjedhje, që i shkaktuan disa replika të njëpasnjëshme edhe me kryeministrin Rama. Yuri Kim ka përmendur me emër dhe mbiemër deputetin Tom Doshi duke përmendur se zgjedhësit shqiptarë meritojnë më shumë.
Ky apel i shprehur përmes Twitter-it përpos anës parimore për të pastruar politikën ka dhe një ndikim të drejtëpërdrejtë në zgjedhje, pasi Doshi garanton një mandat të sigurtë pro Ramës në qarkun e Shkodrës.
Në fakt, selia diplomatike e rrugës së Elbasanit ka prej më shumë se një dekade një llogari të hapur me deputetin milioner. Emri i tij u shfaq për herë të parë në kabllogramet e zbuluara nga Wikileaks. “Ai është i njohur si deputeti më i pasur në kuvend me pasuri të deklaruar prej më shumë se 15 milionë dollarësh dhe dyshohet gjithashtu për trafik lëndësh narkotike,” thuhet në kabllogramën e firmosur nga ambasadori John L. Withers në 9 gusht 2009. Aty Doshi përmendej mes deputetëve të tjerë në materialin që mbante titullin: ““Kriminelët që bëjnë ligjin në parlamentin shqiptar”.
Më pas në vitin 2015 amabasada e SHBA u shpreh sërish kundër Tom Doshit pas konfliktit që ky pati me ish kreun e kuvendit Ilir Meta, të cilin e akuzoi se pati dashur ta vristeme. Atë kohë Meta dhe Rama ishin ende aleatë dhe PS mori vendim për përjashtimin e Doshit. Ambasada u prononcua menjëherë: “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale”.
Por me sa duket amerikanët i janë qepur me bukë në trastë Tom Doshit. Në Prrill 2018, as një vit pasi Doshi ishte rizgjedhur deputet në Shkodër, Sekretari i shtetit e shpalli atë dhe familjen e tij “non grata” në Shba.
“Departamenti e shpalli publikisht” z. Doshi si të padëshirueshëm dhe të palejuar për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara thoshte deklarata e ambasadës amerikane që shpjegonte:“Ligji lejon që, në rastet kur Sekretari i Shtetit ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj janë përfshirë në korrupsion domethënës ose dhunim të rëndë të të drejtave të njeriut, këta individë dhe anëtarët e familjes së tyre nuk lejohet të hyjnë në Shtetet e Bashkuara”,” thuhej në deklaratë.
“Ligji kërkon gjithashtu që Sekretari i Shtetit të dizenjojë zyrtarë të tillë publikisht ose privatisht zyrtarë të tillë dhe familjet e tyre. Përveç dizenjimit të z.Doshi, Departamenti dizenjon publikisht edhe bashkëshortjen e z.Doshi, Xhovana Dhosi, vajzën e tij të rritur Briana Doshi, djalin e tij të rritur James Doshi dhe fëmijët e tij të mitur”.
Ambasadorja Kim bëhet diplomatja e katërt në radhë që merret nominalisht me deputetin e Shkodrës duke kërkuar mospjesmarrjen e tij në zgjedhje. Pas kësaj të folure troç dhe me emër është edhe më e lehtë të kuptohet se përse tensionet u rritën ditën e fundit mes saj dhe Edi Ramës. Përveçse njihet si një njeri i afërt i kryeministrit, Doshi ka dhe vlerë poltike për të, pasi i sjell të gatshëm një mandat pothuajse personal, që me anë partisë së tij PSD, fiton në Shkodër. Kështu që thirja e ambasadores Kim, mund të përkthehet edhe si nj mandat më pak në favor të Rilndjes.