Detaje të reja për 28-vjeçaren që ndërroi jetë prej COVID-19, kishte lindur 6 ditë më parë

Zbulohen detaje të reja për vdekjen e 28-vjeçares nga Korça me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”.  Gruaja e re  ishte shtruar për COVID, relativisht rëndë, dy javë më parë.

Para 6 ditësh, 28-vjeçaren e dërguan në maternitetin e Tiranës, ku ka lindur. Më pas është kthyer sërish në reanimacionin e Sanatoriumit ku për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është futur në intubim. Mbrëmë në darkë ajo ka ndërruar jetë.


Fëmija thuhet se është mirë dhe është në Korçë, ndërkohë që mjekët kishin shumë shpresë, por komplikacioni kardiak ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Burime jozyrtare thonë që nuk ka pasur sëmundje bashkëshoqëruese, shkruan BalkanWeb.com.

Fauci: Imuniteti i tufës pas vaksinimit të 70 deri 85% të njerëzve

Eksperti kryesor për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Antony Fauci ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se sipas përllogaritjeve, imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 deri në 85 për qind e popullatës.

Duke folur për variantet e reja të koronavirusit, të paraqitura në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, Brazili dhe Kina, Fauci thotë se ata të gjithë janë virus SARS-CoV-2, por kanë dallime të vogla që mund të çojnë në një ndryshim funksional.


“Domethënë antitrupat mund të mos reagojnë në mënyrë efektive kundër tyre. Ndonjëherë kjo i bën atë më të transmetueshëm. Ne e dimë që varianti i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe ai i Afrikës së Jugut dhe me shumë mundësi varianti brazilian transmetohen shumë më lehtë”, ka thënë Fauci.

Eksperti amerikan thotë se vaksinat aktuale të koronavirusit, siç janë: Moderna, Pfizer dhe së shpejti edhe Johnson&Johnson, mund të jenë efektive ndaj koronavirusit të ri.

“Jo plotësisht sikurse në virusin që ka qenë me ne nga fillimi, por sërish kanë një shkallë të lartë të mbrojtjes, në veçanti kundër sëmundjeve të rënda, domethënë shtrimit në spital dhe vdekjeve”, ka thënë Faucci, duke shtuar se vaksinat kundër koronavirusit kanë siguri dhe, sipas tij, rreziku ndaj COVID-19 është jashtëzakonisht më i madh se rreziku i një dëmi që mund të ndodhë nga vaksina.

Ambasada ruse tjetër ofertë Ramës: Gati të ofrojmë vaksinën e Covid për Shqipërinë

Rusia vazhdon të jetë e gatshme të ofrojë vaksinën e saj për Shqipërinë pavarësisht refuzimit dhe reagimit të ashpër të kryeministrit Edi Rama. Në një reagim për Gazetën Si, Ambasada Ruse në Tiranë thotë se nëse Tirana zyrtare dëshiron të nisë negociatat me Fondin Rus të Investimeve Direkte për marrjen e vaksinës, atëherë Moska do të jetë e gatshme t’i fillojë.

Megjithatë, ambasada nuk e fsheh “habinë” me deklaratat e kryeministrit Rama pas ofertës së Rusisë disa javë më parë, kur deklaroi se ishte një provokim për të cilin selia diplomatike në Tiranë duhet të kërkonte ndjesë.


“Qeveria e secilit vendi vendos vet me cilët kompanitë ajo dëshiron të negociojë marrjen e vaksinave. Nëse Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të dëshirojë të mbajë negociata me Fondin Rus të Investimeve Direkte, Fondi në fjalë patjetër do të jëtë i gatshëm t`i fillojë ato. Në këtë rast kjo gjë nuk ka asgjë të bëjë me ambasada ne vetëm mund të informojmë organet përkatëse shtetërore për mundësi të tilla”, thekson ambasada ruse në përgjigjen e saj për gazeta Si. Përfaqësia ruse komentoi edhe reagimin e zotit Rama duke thënë se “ne ishim të habitur.”

Më 28 janar, nëpërmjet një letre dërguar këshilltarit të kryeministrit, Endri Fugës, nga Fondi Rus i Investimeve Direkte, Moska sinjalzoi se ishte e gatshme të vinte vaksinën Sputnik V në dispozcion të vendit tonë, por Rama hodhi poshtë propozimin, duke deklaruar se “fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një meme”.

Megjithatë kreu i qeverisë shqiptarë zbuti ndjeshëm qendrimin e tij pasi Gjermania deklaroi se ishte e hapur për përdorimin e vasksinës ruse, e cila ishte vaksina e parë e zbuluar kundër koronavirusit të ri. Duke folur pas mbërritjes së dërgesës së parë nga kompania farmaceutike Pfizer, Rama deklaroi se nëse Bashkimi Europian miratonte vaksinën ruse, atëherë vendi ynë do ta merrte në konsideratë, por se për momentin ishte i përqendruar tek vaksinat perëndimore.

“Përsa i përket vaksinave lindore, ruse apo kineze asnjë paragjykim për aspektet shkencore, respekt për shkencëtarët, por zgjedhja jonë është të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Nëse BE do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ruse, ne do të rishikojmë qasjen”, do të deklaronte Rama.

Ky ndryshim kursi i kreut të qeverisë erdhi pasi kabineti i kancelares Angela Merkel do të njoftonte se po konsideronte furnizimin me vaksina ruse.

Në mungesë të vaksinave nga kompanitë farmaceutike perëndimore, Gjermania mund të miratojë përdorimin e vaksinave ruse ose kineze. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn deklaroi se është i hapur për përdorimin e vaksinave kundër koronavirusit të prodhuara në Rusi ose Kinë.

“Nëse një vaksinë është e sigurt dhe efektive, nuk ka rëndësi se në cilin shtet është prodhuar, atëherë sigurisht që mund të ndihmojë në mposhtjen e pandemisë”, tha Spahn për Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ai tha megjithatë se vaksina kundër koronavivrusit duhet të kalojë nëpër një proces të gjatë autorizimi. Këto komente të ministrit gjerman vijnë ndëkohë që Europa po përballet me vonesa të dërgesave të dozave të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

Cilat vende po përdorin vaksinën ruse?

Nga ana e saj, Rusia tha se do të jetë në gjendje, ta furnizojë Bashkimin Europian me 100 milionë doza të vaksinës së saj Sputnik-V, të mjaftueshme për vaksinimin e 50 milionë personave, që në gjysmën e dytë të vitit 2021.

Rusia tashmë ka aplikuar për autorizimin e vaksinës në Agjencinë Europiane të Barnave (EMA), edhe pse për Sputnik-V ka pasur skepticizëm të madh mes dyshimeve se vaksina ende nuk ka kaluar nëpër të gjitha studimet e nevojshme klinike.

Ngadalësimi i fushatës së vaksinimit për shkak të uljes së numrit së dozave të shpërndara nga kompania amerikane Pfizer në Bashkimin Europian ka bërë që Greqia të konsiderojë marrjen e vaksinës ruse Sputnik-V.

Lazaros Karnesis, mjek i përgjithshëm dhe anëtar i Komitetit Kombëtar të Vaksinimit njoftoi se qeveria greke është vënë në lëvizje për përdorimin e vaksinave ruse.

Sipas tij, vaksina ruse ka treguar që është efektive dhe së shpejti do të marrë aprovimin. “Sa më shumë vaksina, aq më mire”, theksoi ai.

Një studim i fundit zbuloi se vaksina ruse Sputnik V ka 91.6% efikasitet kundër koronavirusit, duke shënuar kështu një rezultat të ngjashëm me atë të kompanisë amerikane Moderna. Rezultatet vijnë nga provat klinike të më shumë se 20,000 personave. Vaksina, e cila mbështetet nga Fondi Rus i Investimeve Direkte (RDIF), jepet me dy doza me largësi prej 21 ditësh.

Hungaria është bërë në janar shteti i parë anëtar i BE-së që miratoi vaksinën ruse kundër koronavirusit, duke e autorizuar fillimisht për në përdorim 6 mujor.

Ndërkohë, Serbia ishte vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka siguruar vaksinën, deri më tani, duke marrë dërgesa nga Pfizer-BioNTech dhe vaksina Sputnik V dhe vaksina kineze.

Presidenti Vuçiç ka premtuar të krijojë fabrika për të filluar prodhimin e vaksinave në vend, siç u bë në kohën e ish Jugosllavisë. Sipas raporteve të medias, pajisjet e kërkuara do të sigurohen nga Moska, pasi Serbia synon të prodhojë vaksinën e Rusisë. Derisa kapacitetet e prodhimit të rriten, Serbia do të marrë qindra mijëra doza nga Moska.

Ashtu si Beogradi, Republika Srpska kryesisht e populluar nga serbët, është gjithashu në bisedime për vaksinën Sputnik. “Ne jemi duke negociuar intensivisht me institucionet kompetente ruse për shpërndarjen e vaksinës Sputnik dhe, realisht, kontingjenti i parë do t’i dorëzohet Republika Srpska në shkurt” tha Dusko Peroviç, kreu i Përfaqësimit të Republikës Srpska në Moskë. “Unë i besoj vaksinës ruse, nuk u besoj narrativave tregtare që vijnë nga Perëndimi,” deklaroi Milorad Dodik, udhëheqësi i Serbëve të Bosnjës, duke i bërë thirrje qëverisë të ndalonte së shpresuri tek BE-ja dhe të lidhte një kontratë me Rusinë.

Vendet e Ballkanit kanë luftuar për të pasur akses në vaksinat COVID-19 nga kompani dhe programe të shumta, por përvec Shqipërisë dhe Serbisë, vendet e tjera janë ende duke pritur për vaksinat për një afat të pacaktuar. Kosova ka siguruar 500,000 vaksina anti-COVID-19 nga kompania farmaceutike Pfizer, por nuk është e qartë nëse ato do të mund të arrijnë përpara shkurtit. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë kthyer sytë nga Kina, duke porositur vaksinën e kompanisë kineze Sinopharm. (SI)