Presidenti amerikan Donald Trump tha se përpjekja e ligjvënësve demokratë për të ngritur akuza për shkarkim në ditët e fundit të presidencës së tij është “absolutisht qesharake”. Duke folur para gazetarëve për herë të parë që kur mijëra mbështetës të tij sulmuan Kapitolin të mërkurën e kaluar, Trump hodhi poshtë çdo pretendim se ai ishte përgjegjës për kaosin që la të vdekur 5 njerëz.

Trump u kishte kërkuar mijëra mbështetësve të tij në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë për të “luftuar” kundër përpjekjes së ligjvënësve për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve në të cilat ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden. Por presidenti tha të martën se, “kjo është analizuar dhe njerëzit menduan se ajo që thashë ishte plotësisht e përshtatshme”.


Disa orë pasi policia rivendosi rendin në Kapitol, ligjvënësit certifikuan votimin e Kolegjit Zgjedhor që nxori demokratin Joe Biden fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Trump i bëri komentet ndërsa po nisej drejt kufirit jugperëndimor me Meksikën për të inspektuar murin që ai ka ndërtuar për të penguar imigracionin e paligjshëm, të cilin ai e konsideron si një nga arritjet e tij kryesore si president.

Trump tha se përpjekja për të ngritur akuza ndaj tij është një “vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”. Me të njëjtat fjalë ai i ka përshkruar edhe hetimet e mëparshme ndaj tij për pretendimet se Rusia e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2016 dhe miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të akuzave për shkarkimin e tij në vitin 2019 pasi ai kërkoi ndihmën e Ukrainës për të zbuluar informacione komprometuese për zotin Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.

Presidenti Trump tha se ai nuk dëshiron më dhunë ndërsa zoti Biden përgatitet të marrë detyrën por tha se përpjekja e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët për të ngritur akuza ndaj tij “po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm”. Joe Biden do të inaugurohet pas 8 ditësh si Presidenti i 46-të i vendit, duke i dhënë fund mandatit 4-vjeçar të zotit Trump.