Ava Max ndryshon “identitetin”

Këngëtarja shqiptare Ava Max është një prej emrave më të njohur të muzikës në botë, e cila na ka bërë të gjithëve krenarë me talentin e punën e saj të palodhur.

Që në fillimet e karrierës së saj, Ava është shfaqur me flokët bjond dhe me një model të veçantë flokësh që tashmë e personifikon, njërën anë të shkurtër e tjetrën të gjatë.Mirëpo, Ava Max ka marrë papritur një vendim për të ndryshuar drastikisht pamjen e saj dhe tashmë nuk është një bjonde!Këngëtarja është kthyer në brune dhe ka befasuar ndjekësit me pamjen e re.Në fotot e publikuara në llogarinë e saj në Instagram, Ava Max shfaqet me flokët në ngjyrë të errët të cilat gjithashtu i shkojnë shumë, ndërsa fansat kanë vërshuar në komplimente për këtë look të ri.


“Amanda u rikthye”- shkruan këngëtarja duke treguar se kjo ishte ngjyra e flokëve që ajo kishte para se të bëhej e famshme.

Së fundmi, Ava foli shqip në një televizion gjerman, ndërsa videoja e saj bëri xhiron e rrjetit.

Në bisedë e sipër me gazetaren Arta Ramadani, Ava pranoi me kënaqësi të madhe të flasë shqip.

“Si jeni të gjithë? Unë jam Amanda apo Ava Max.”- tha këngëtarja ndërsa gazetarja ia ktheu po në shqip:

“Edhe je shumë e bukur!”

“Faleminderit, unë i kam flokët të zeza, nuk i kam bjonde.”- tha Ava duke qeshur.

Ish-këshilltari i DASH: Serbisë duhet t’i jepet ultimatum për Kosovën

David Phillips, ish-këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan i Shtetit(DASH) dhe njohësi i mirë i Ballkanit, në një intervistë për RTV Dukagjinin ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë po zvarritet. Sipas tij, duhet të ketë një agjendë të qartë për dialogun dhe se vendet duhet të përqendrohet te njohja e Kosovës, kjo ishte e vetmja zgjidhje e mosmarrëveshjeve.

“Duhet të kemi një agjendë të qartë për dialogun. Qartësia ka munguar në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë. A po negociojnë palët për njohje të ndërsjellë? A po flasin për aranzhime tjera si pjesë e një strategjie për zbutje të konfliktit? Pikëpamja ime personale është se dialogu duhet të përqendrohet te njohja e Kosovës nga Serbia si vend sovran brenda kufijve aktual. Kjo është mënyra e vetme për një marrëveshje të qëndrueshme dhe paqësore”, deklaroi Philips.


Gjithashtu, sipas Philips Perëndimi duhet t’i jep ultimatum Serbisë, ose të pranojë marrëveshjen ose ta lërë fare, pasi sipas tij marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington nuk solli asgjë.

“Duhet të formulohen kushtet për një marrëveshje përfundimtare dhe ato t’i paraqiten zotit Vuçiq dhe palës serbe. Perëndimi duhet t’i ofrojë një marrëveshje Serbisë dhe kjo të jetë si një punë e kryer: merre ose leje këtë marrëveshje. Ky proces është duke zgjatur shumë. Palët duhet të përqendrohen për një marrëveshje përfundimtare që do të jetë e detyrueshme. Nuk është e vështirë të parashikosh çfarë do të sheh marrëveshja, natyrisht se është e vështirë të mendosh se Kisha Ortodokse serbe të pranojë Pavarësinë e Kosovës por nuk ka zgjedhje tjetër.

Ndryshe Serbia do të duhej të përjashtohej nga integrimi në institucionet euro-atlantike dhe do të mbetej një shtet problematik. Është koha që të lëvizet para dhe të ketë njohje të ndërsjellë që të lëvizet përpara. Marrëveshja vërtet do të arrihej nëse SHBA dhe BE do të punonin ngushtë së bashku. “Marrëveshja e 4 shtatorit ishte thjesht një deklaratë politike të nënshkruara nga ekipet e Avdullah Hotit dhe Vuqiçit.

Trump: Qesharake përpjekjet e demokratëve për të më shkarkuar

Presidenti amerikan Donald Trump tha se përpjekja e ligjvënësve demokratë për të ngritur akuza për shkarkim në ditët e fundit të presidencës së tij është “absolutisht qesharake”. Duke folur para gazetarëve për herë të parë që kur mijëra mbështetës të tij sulmuan Kapitolin të mërkurën e kaluar, Trump hodhi poshtë çdo pretendim se ai ishte përgjegjës për kaosin që la të vdekur 5 njerëz.

Trump u kishte kërkuar mijëra mbështetësve të tij në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë për të “luftuar” kundër përpjekjes së ligjvënësve për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve në të cilat ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden. Por presidenti tha të martën se, “kjo është analizuar dhe njerëzit menduan se ajo që thashë ishte plotësisht e përshtatshme”.


Disa orë pasi policia rivendosi rendin në Kapitol, ligjvënësit certifikuan votimin e Kolegjit Zgjedhor që nxori demokratin Joe Biden fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Trump i bëri komentet ndërsa po nisej drejt kufirit jugperëndimor me Meksikën për të inspektuar murin që ai ka ndërtuar për të penguar imigracionin e paligjshëm, të cilin ai e konsideron si një nga arritjet e tij kryesore si president.

Trump tha se përpjekja për të ngritur akuza ndaj tij është një “vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”. Me të njëjtat fjalë ai i ka përshkruar edhe hetimet e mëparshme ndaj tij për pretendimet se Rusia e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2016 dhe miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të akuzave për shkarkimin e tij në vitin 2019 pasi ai kërkoi ndihmën e Ukrainës për të zbuluar informacione komprometuese për zotin Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.

Presidenti Trump tha se ai nuk dëshiron më dhunë ndërsa zoti Biden përgatitet të marrë detyrën por tha se përpjekja e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët për të ngritur akuza ndaj tij “po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm”. Joe Biden do të inaugurohet pas 8 ditësh si Presidenti i 46-të i vendit, duke i dhënë fund mandatit 4-vjeçar të zotit Trump.

“Shefqet Ndroqi” për skandalin me sanitaren: Veprim çnjerëzor, te hetohet deri në fund

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, i cili prej muajsh shërben si Covid-2, ka reaguar pas skandalit të denoncuar mbrëmjen e kaluar nga emisioni investigativ “Stop”, ku një sanitare i kishte marrë 8 milionë lekë një vajze për t’u shpëtuar të ëmën, e cila fatkeqësisht kishte ndërruar jetë.

Sanitarja Tire Alldërvishi i kishte zhvatur 30-vjeçares lekët, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi, por në të vërtetë nuk i kishte dhënë as bukë për të ngrënë. Në reagimin e tij, spitali Covid-2 dënon ashpër ngjarjen, ndërsa iu kërkon autoriteteve të kryejnë hetimin e rastit deri në fund.

“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares me inicialet T.A dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’. Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi’”, thuhet në reagimin e spitalit “Shefqet Ndroqi

Sapo mori aeroportin, ‘Kastrati’ ngre tarifat për avionët

Rritet tarifa e terminalit për avionët në Rinas. ‘Eurocontrol’ organizata që merret me faturimin dhe mbledhje e tarifave të terminalit për llogari të Albcontrol ka publikuar tarifën e re të terminalit për të gjithë ato avionë që qëndrojnë në Rinas.

Sipas dokumentit të publikuar nga Eurocontrol tarifa e terminalit për vitin 2021 do të jetë 235.67 euro për avion ndërkohë që një vit më parë kjo tarifë ishte 227.48 euro duke shënuar kështu një rritje të kësaj tarife për çdo avion. Rritja e tarifes përkon me kohën kur Aeroporti i Rinasit, i vetmi në Shqipëri është në duart e kompanisë shqiptare ‘Kastrati Grup’, e cila ia bleu grupit kinez për 71 milionë euro.


‘Tarifa e terminalit vendoset për çdo fluturim që niset nga Tirana International Aeroporti. Shkalla e njësisë së tarifës e zbatueshme nga 1 janari 2021 është 235.67 euro. Shkalla e interesit për pagesën e vonuar të tarifave terminale të zbatueshme nga 1 janar 2021 është 9.67% në vit. Këto tarifa janë të publikuara edhe në Shqipëri’- thuhet në dokumentin e Eurocontrol.

Në shpjegimin e Eurocontrol tarifat e terminalit marrin parasysh dy element së pari peshën e avionit që niset dhe së dyti njësinë e tarifës për aerodromin nga ku bëhet nisja. Rezultati që merret pasi bëhet shumëzimi i dy elementëve është vlera që paguhet për terminalin. Eurocontrol sqaron se vendet anëtare përcaktojnë zonat e tarifimit për terminalet që mund të jetë një aerodrom apo disa aerodrome që lokalizohen në një vend të caktuar ku ofrohen shërbime për të cilën duhet të paguhet tarifë.