Cfare nuk duket pas darkes “falas”


Nga Eli Golemi

Shumë zhurmë mediatike ka bërë keto ditë vizita e një delegacioni shqiptar në Dubai, ku kryesisht është folur për darkat, mishin dhe Nusretin, dhe pak e aspak për projektet dhe investimet. Ministrja Balluku foli shkurtimisht pas “darkës së fundit” në Dubai për një investim kolosal prej 2 miliard euro (duket disi e paqartë situata në deklaratat e delegacionit nëse vlera e investimit do të jetë në EURO apo në USD) ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Mazniku shuajti “urinë” e publikut lidhur me faktin se darkat dhe të gjitha shpenzimet janë paguar të gjitha nga pritësi i delegacionit, që rezulton të jetë drejtuesi i një kompanie private prestigjioze arabe në fushën e ndërtimeve dhe turizmit. Por, siç thoshte Friedman, në ekonomi nuk ekziston një gjë e tillë si dreka falas (there is no such thing as a free lunch).

Le të përpiqemi të qartësojmë sadopak sesi qëndron historia me princ dhe princesha.

Në datë 26 Nentor 2020 Kryeministri Edi Rama do të shprehej keshtu nga Emiratet e Bashkuara: “Rastësia e desh që sot në 1 vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dabi, për të firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2,000 apartamenteve të reja në Durrës”. Sipas informacioneve të qarkulluara në media se fundmi thuhet se Fondi i Abu Dabi-t për Zhvillim (ADFD) ka miratuar një grant prej 70 milionë dollarë, të siguruar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe në mbështetje të rizhvillimit urban të Shqipërisë. Në një angazhim ende të pa zbardhur për publikun thuhet se Qeveria shqiptare do të financojë infrastrukturën e lagjes së re në Spitallë, ndërsa sipërmarrësi i mirënjohur i botës arabe, Mohamed Alabbar (që rezulton të jetë drejtuesi i kompanisë Emaar dhe pritësi i delegacionit shqiptar këto ditë në Dubai) do të realizojë banesat e Spitallës dhe banesat e reja që do të ndërtohen në vend të pallateve të shembura në Durrës nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Por detaje lidhur me këtë angazhim dhurimi apo marreveshje për grant apo reindertim deri tani nuk kemi parë.

Dhe ndërsa Shqipëria gjendet pjesërisht nën sundimin e ujit nga përmbytjet e ditëve të fundit, nëpermjet medias u informuam se Qeveria gjendet “pjesërisht” ne Dubai, me angazhimin madhor për të diskutuar me sipermarrjen private arabe në lidhje me pikat e dakorduara paraprakisht nga Kryeministri Rama (në viziten e tij të datës 26 Nentor 2020), në lidhje me marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik. Pra, vizita nuk ka të bëjë me rindertimin e Durrësit pa termetit, por një bashkëpunim ekonomik reciprok midis dy qeverive dhe sipërmarrësve privat të të dy vendeve. Për të kuptuar rëndësinë dhe natyrën e investimeve bazuar në marrëveshjen e bashkëpunimit ekonomik, po i referohemi dokumenteve zyrtare të publikuara nga Qeveria:

 Dt. 25.11.2020 _ Miratohet në parim nga Këshilli i Ministrave Marrëveshja e Bashkepunimit Ekonomik midis Këshillit të Ministrave dhe Qeverisë EBA, por kopje e marrëveshjes nuk gjendet bashkëlidhur këtij vendimi (VKM nr. 929).

 Dt. 26.11.2020 _ Kryeministri Rama nënshkruan direkt në Abu Dabi Marrëveshjen e Bashkepunimit Ekonomik në praninë e përfaqësuesit të Qeverisë së Emirateve të Bashkuara. Por çuditërisht në deklaratën e KM, vëmendjen e merr një tjetër marrëveshje për ndërtimin e 2000 apartamenteve pas dëmtimeve nga tërmeti, detajet e së cilës ende nuk janë bëre me dije për publikun.

 Dt. 01.12.2020 _ Këshilli i Ministrave depoziton në Kuvend projektligjin për miratimin e Marrëveshjes së nënshkruar midis palëve.

 Dt. 02.12.2020 _ Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut marrin në shyrtim projketligjin e propozuar për miratim dhe përgatisin raportet respektive për Kuvendin.

 Dt. 03.12.2020 _ Miratohet në Parlament ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE (Ligji nr. 145/2020).

Pra, në një kohë rekord e me një shpejtësi dhe prioritet të paprecedent, të gjitha strukturat e shtetit u vunë në shërbim të Kryeministrisë dhe bënë të mundur që marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik me Qeverinë EBA të draftohet, miratohet dhe ratifikohet në më pak se një javë (mqs qëlluan edhe pushimet e festave të Nëntorit në mes). Ndërkohë marrëveshja e cituar për rindërtimin e 2,000 apartamenteve në zonën e Durrësit ende nuk është zbardhur apo bërë publike, pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit nga goditja e tërmetit të Nëntorit 2019 dhe prej disa muajsh flitet për ekzistencën e një marrëveshje të tillë në negocim e sipër midis palëve, por gjë konkrete akoma nuk kemi parë.

Cfarë synon marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik me Qeverinë EBA?

  1. Marrëveshja për bashkëpunimin ekonomik qeveritar synon krijimin e bazës ligjore ndërmjet palëve, me qëllim nxitjen e subjekteve të sektorit privat për të gjetur mundësitë e investimit të projekteve të ndryshme në fushat e bashkëpunimit ekonomik. Objekti i kesaj marreveshje synon që palët të inkurajojnë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe partneritetet strategjike në sektorë dhe fusha me interes, për një periudhë 10-vjeçare, në bazë të barazisë dhe të përfitimeve të ndërsjella ndërmjet palëve. Pra, kjo marrëveshje nuk ka aspak natyrë bamirësie apo dhurimi për ndërtim apartamentesh, por qartësisht synon përfitimin ekonomik reciprok.
  2. Në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave thuhet se “objektivat e marrëveshjes janë në përputhje me prioritetet e qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2015-2020”, që nënkupton se në vitin 2021 Qeveria ende nuk ka një strategji të re zhillimi për periudhën në vijim, sidomos pas dy krizave të njëpasnjëshme që goditën vendin.
  3. Në marreveshje parashikohen prioritetet e zhvillimit ekonomik të dakorduara midis palëve, si: a) Rizhvillimi i Portit të Durrësit; b) Industria e turizmit, të bujqësisë dhe logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil; dhe c) Investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit. Të gjitha investimet, kontratat dhe projektet që bazohen mbi marrëveshjen e ratifikuar do te përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik, tenderit pulik, apo procedurave të tjera konkurruese. Pra, për një periudhë 10-vjeçare dhe për të gjitha investimet strategjike të dakorduara midis palëve, sipërmarrësit privat nga EBA nuk do t’i nënshtrohen rregullave bazë të ekonomisë së tregut të lirë, përsa kohë që do të gjejnë dakordësinë e Komitetit të përbashkët apo të Kryeministrit të vendit tonë.

Bazuar në këte marrëveshje, Kompania Emaar ka ofruar një projekt për transformimin e portit të Durrësit nga port tregtar në port turistik dhe zonë rezidenciale, duke u angazhuar të investojë në total në këtë zonë një vlerë rreth 2 miliard euro (një vlere investimi rreth 7% e totalit të aseteve të kompanisë). Parimi i parë i angazhimit financiar për sipërmarrësin privat është që të marrë nga ky investim një vlerë më të lartë se kosto e investimit.

Në këto kushte, Ministrja Balluku nuk mund të deklarojë se Shqipëria nuk ka asnjë kosto nga kjo marrëveshje investimi, por duhet të bëjë transparente për publikun termat realë të biznesit si dhe koston direkte apo oportune afatgjatë që shqiptarët do të mbartin nga realizimi i këtij investimi, përtej përfitimit afatshkurtër të injektimit të vlerës së investimit në ekonomi.

  • Sa prona dhe asete të paluajtshme mund të bleje kompania Emmar nga shteti shqiptar në kuadrin e këtij investimi dhe pa gare konkurimi?
  • Si do të menaxhohet porti turistik në vijim dhe sa do të jene termat e fitimit që do të ketë pala kontraktore në këtë projekt?

Siç thotë edhe gazetari i Top Chanel, kompania Emaar është futur në garë me kohën për të bërë realitet investimin, pasi konkurencë tregu nuk ka dhe nuk do të ketë ndoshta edhe për 10 vitet e ardhshme. Ndërkohë, qeveria shqiptare duhet të bëje transparente marrëveshjen e nënshkruar në Abu Dabi, nëse ka një të tillë, për ndërtimin e 2,000 apartamenteve të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Durrësit.

Ndaje mendjen Z. Kryeminister, do të ndërtoni apartamente falas në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti apo do të investoni në pasuri të patundshme në Shqipëri, në ndihmë të sipërmarrjes private të Emirateve të Bashkuara Arabe. Bamirësi dhe pazare me tokat e shqiptarëve nuk mund të vazhdoni të bëni në sofrën e bukës falas!