Flet mjeku i shkarkuar pse foli kundër QSUT: Do iki jashtë vendit

Mjeku Ilir Allkja u shkarkua nga puna në QSUT më 30 dhjetor. Në “Zonë e Lirë” ai e ka konsideruar vendimin e marrë pikërisht më këtë datë, para Vitit të Ri, si një vendim sadist dhe të pashpirt.

“Unë do ta ndjek në rrugë gjyqësore dhe në Gjykatat Ndërkombëtare. Do të jetë një betejë e gjatë, nuk do jetë e vështirë se është një vendim i kompozuar për faqe të zezë. Do të jetoj për lirinë time. Ishte sadiste, në prag të festës së Vitit të Ri t’i japësh këtë vendim. Janë treguar të pashpirt, kanë llogaritur ditën që të më vrasin sa më shumë.


Megjithatë unë për ato motive e mbaj kokën lart, jam krenar, unë dhe bashkëshortja ime që më ka mbështetur. Fëmijët normale më mbështesin, do të ishte problem nëse unë do shkarkohesha për një sjellje të paligjshme apo për një gabim profesional. Kam oferta nga spitale private. E fundit është që unë do të iki nga ky vend, qejfin e kam në Francë sepse kam punuar në ekip me mjek francezë dhe e njoh që në fëmijëri atë gjuhë”, – tha mjeku Allkja

Flet Biden: I takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë akuza ndaj Trump

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se ai kishte besuar për një kohë të gjatë se Presidenti Donald Trump nuk ishte i aftë për detyrën, por se i takon Kongresit të vendosë nëse do të ngrejë për së dyti akuza për shkarkimin e presidentit.

Zoti Biden u tha gazetarëve në një konferencë shtypi se ai ishte i përqendruar te frenimi i pandemisë COVID-19, te vaksinimi i shpejtë dhe te forcimi i ekonomisë.


“Ajo që Kongresi do të vendosë të bëjë, kjo u takon atyre por … ne do të na duhet të jemi gati të fillojmë menjëherë punën”, tha ai, kur u pyet në lidhje me legjislacionin që po përgatitet nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve për të ngritur akuza kundër Presidentit Trump për rolin e tij në nxitjen e dhunës ditën e mërkurë në Kapitol.

Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve planifikojnë të paraqesin të hënën akuzat që mund të çojnë për herë të dytë në një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, thanë dy burime që kishin dijeni për këtë çështje.

Një kopje e dokumentit që po qarkullon midis anëtarëve të Kongresit akuzon zotin Trump për “nxitje të dhunës kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara” në përpjekje për të përmbysur humbjen ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Në akuzat që përmban dokumenti përmendet gjithashtu biseda telefonike që zoti Trump pati gjatë javës së kaluar me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias Brad Raffensperger, në të cilën i kërkoi atij të “gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur fitoren e zotit Biden në atë shtet.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti të premten Presidentin Trump “të çekuilibruar” dhe tha se Kongresi duhet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur amerikanët, edhe pse mandati i zotit Trump përfundon më 20 janar kur presidenti i zgjedhur Biden të bëjë betimin.

Ajo gjithashtu tha se kishte folur me gjeneralin më të lartë të vendit, kreun e Shtatmadhorisë Mark Milley, në lidhje me çështjen që zoti Trump të mos lejohet të fillojë ndonjë konflikt ose të ndërmarrë ndonjë sulm me armë bërthamore, siç u shpreh ajo.

Deri më sot, nuk ka patur asnjë rast që ndaj një presidenti amerikan të ndërmerren dy herë procedura shkarkimi.

Por është e paqartë nëse ligjvënësit do të jenë në gjendje ta heqin zotin Trump nga posti, pasi akuzat që mund të ngrihen në Dhomën e Përfaqësuesve do të përfundonin në një gjyq në Senat, ku republikanët e tij kanë mjaft kontroll.

Zoti Biden tha se fakti që Presidenti Trump nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e tij më 20 janar “është një gjë e mirë.”

Ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjes nëse nënpresidenti Mike Pence do të merrte pjesë në inaugurim, presidenti i zgjedhur Biden tha se zoti Pence “është i mirëseardhur,” por se nuk ka biseduar me të. /VOA

Trump e thotë prerë: Nuk do të marrë pjesë në inagurimin e Joe Biden si President i SHBA

Presidenti aktual i SHBA-së është treguar i prerë, duke deklaruar sot se ai nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të Joe Biden më 20 janar. “Për të gjithë ata që më kanë pyetur, unë nuk do të marrë pjesë në inagurimin e datës 20 janar”, shkruan Trump në një postim në Twitter. Presidenti republikan beson se zgjedhjet janë manipuluar. Ai bëri një betejë ligjore, por nuk paraqiti asnjë fakt bindës që të tregonte se kishte deformim të vullnetit të amerikanëve.