Kohët e fundit, jemi ndodhur para një parade të pazakontë figurash publike që pozojnë të qeshur, me hir apo pahir, pranë njerëzish me pushtet, duke i thurur lavde që për shumicën e qytetarëve shqiptarë janë të pakuptueshme e të pajustifikueshme. Disa nga këta pozues janë aktorë, këngëtarë, valltarë, sportistë, shumica të respektuar, që e kanë ngritur karrierën e tyre me talent dhe mund, por edhe falë mbështetjes bujare të publikut.

Publiku i do, publiku i mbështet, publiku u beson.

E pikërisht, këtë besim ata duhet ta ruajnë si sytë e ballit e jo ta shpërdorojnë, duke bërë që me papërgjegjshmërinë e mesazheve të tyre, t’ia kërrusin edhe me fort trupin qytetarëve të këtij vendi.

Dalja e figurave publike në krah të kandidatëve për pushtet është një praktikë e njohur në të gjithë botën. Por kjo bëhet nga figura publike të angazhuara, që kanë krijuar bindje se alternativa që ata mbështesin botërisht është një alternativë e mirë, e ndershme dhe progresive. Ata nuk mbështesin gënjeshtrën, abuzimin e korrupsionin. E në qoftë se ndodh kështu, e paguajnë me “fytyrën” e reputacionin e tyre.

Ka ardhur koha që figurat publike në Shqipëri të marrin përgjegjësi më të mëdha qytetare. Ata duhet të japin shembullin më të mirë jo vetëm me artin e tyre por edhe me personalitetin dhe me vlerat që përqafojnë në publik.

Figura publike të nderuara!

  • Mos shkelni me kembë besimin e mbështetjen e publikut!
  • Mos i jepni fytyrën tuaj borxh pafytyrësisë!

Diaspora per shqiperine e lire.