Në fjalën e mbajtur në Forumin Ballkanik kundër Semitizmit, kryeministri Edi Rama ka thënë se shqiptarët i kanë mbrojtur me jetën e tyre hebrenjtë që erdhën në vendin tonë. Në forumin e mbajtur përmes “Skype”, kreu i qeverisë theksoi se të gjithë vendet duhet të luftojnë ekstremizmin për të ardhmen e përbashkët të popujve.

“ Unë përfaqësoj Shqipërinë, që është mishërim i mbrojtjes së hebrenjve dhe i luftës së ekstremizmit të dhunshëm, që ushqehet që urrejtja ndaj civilizimit hebre. Shqipëria e sheh Izraelin dhe civilizimin hebre si shtyllë të bashkëjetesës. Shqiptarët e kanë parë bashkësinë hebraike si dritën e syve. Hebrenjtë u kthyen në Shqipëri në gur të çmuar, shabati ishte garantuar me të drejtë me ligj. Shqiptarët rrezikuan jetën për të mbrojtur hebrenjtë, ishin myslimanë dhe të krishterë, duke i mbrojtur edhe me jetën e tyre. Ka histori të vëllezërve që kanë fshehur hebrenjtë dhe kanë shkuar në kampet e përqendrimit duke u shtirur sikur janë hebrenjtë që strehonin” tha kryeministri Rama. Në mbyllje të fjalës së tij kryeministri tha se antisemitizmi është një kërcënim real për të cilin duhet të angazhohen të gjithë shtetet.