BE po shton me shpejtësi presionin mbi Edi Ramën për të mos ecur përpara me kokfortësinë për të ndryshuarr rregullat e lojës për zgjedhjet e 25 prillit në mënyrë të njëanshme.

Pas deklaratave të djeshme, që ranë në veshin e shurdhër të qeverisë shqiptare, trysnia për të pritur interpretimin e Komisionit të Venecias pas dekretit për kthimin e ndryshimeve të kodit zgjedhor nga presidenti i republikës, është bërë më e madhe. “Bashkimi Europian beson se Komisioni i Venecias do t’u ofrojë palëve këshilla të shpejta lidhur me zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese të aprovuara nga Parlamenti në 30 korrik. BE pret që palët të marrin në konsideratë udhëzimet e Komisionit të Venecias”, deklaroi këtë të martë zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero-Hernandez, kur u pyet nga gazetarët lidhur me kërkesën e Metës për një opinion nga Venecia, për ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Gjatë një konference për shtyp, Pisonero theksoi se eurokomisioneri Varhelyi ka këmbëngulur që kuvendi të presë opinionin e Venecias.

Në fakt, Oliver Varhelyi, në një postim në Twitter, të hënën shkroi: “Unë besoj se Komisioni i Venecias do të sigurojë këshilla të shpejta për palët e interesuara shqiptare mbi zbatimin e ndryshimeve Kushtetuese të 30 korrikut. Parlamenti duhet të marrë parasysh këtë këshillë përpara se të vazhdojë me rivotimin. Duke pritur zgjedhjet e lira dhe të ndershme në prill 2021”.

Por, menjëherë pas këtij postimi Edi Rama deklaroi se ai nuk ka ndëmend ta presë Venecian, pasi nuk ka kohë për të humbur. Socialistët çuan menjëherë në kuvend nismën për ta hedhur poshtë që brenda kësaj jave dekretin e presidentit, duke mos përfillur draftin me tetë pyetje që kreu i shtetit i ka shpënë për konsultim Venecias.

Ky qëndrim ka ngjallur një seri zinxhir reagimesh. Sërish sot eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Verhelyi ka përsëritur jo pa qëllim thirrjen: “Pres zgjedhje të lira dhe të ndershme në prill 2021”. Ai e ftoi edhe njëherë personalisht Ramën: “I kënaqur që kryeministri mirëpret mendimin e Komisionit të Venecias për ndryshimet kushtetuese të korrikut. Prandaj do të ishte e matur të presim që të dorëzohet para rivotimit në Parlament”, shkroi ai në Twitter.

Përpos autoriteteve të Brukselit në këtë fushatë apelimi, që kryeministri shqiptar të mos ecë me kokfortësi përpara, janë përfshirë edhe personalitete të larta të Partive Popullore, që janë aleatë të familjes së djathtë ku bën pjesë edhe PD. Fillimisht raporteri për Shqipërinë në PPE, David Lega i bëri thirrje parlamentit e Ramës të presin opinionin e Venecias.

Më herët zëvendës kryetari i Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Europian, Andrey Kovatchev, përsëriti të njëjtën kërkesë. Në një postim në Twitter, Kovatchev shkruajti: “Mbështes qëndrimin e Komisionerit OliverVarhelyi! Kodi Zgjedhor duhet të jetë, në çdo rast, në përputhje me Opinionin e Komisionit të Venecias, pasi do të ishte në favor të demokracisë në Shqipëri. Unë i bëj thirrje Kryeministrit Rama dhe Kuvendit të Shqipërisë që ta respektojnë këtë.”

Ndërsa sot, europarlamentari i djathtë, Michael Gahler ka shpërndarë postimin e Varhelyit dhe ka shkruar: “Deklarata e Komisionerit është e mençur, pasi institucionet si Komisioni i Venecias duhet të respektohen nga të gjitha palët e interesuara.”

Por, ndërkohë që presioni si nga Brukseli zyrtar, si nga europarlamentarët po shtohen, shumica socialiste ka nisur procedurat për hedhjen poshtë të dekretit të Metës, duke injoruar thirrjet për pritjen e rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe duke shkuar me vetmohim përpara në ndryshimin e rregullave të lojës sipas interesit të saj.

©Lapsi.al