Kosova ka një mazhorancë të re që shumë shpejt pritet të formojë edhe qeverinë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka mundur të gjejë mirëkuptimin dhe në orët në vijim pritet të zyrtarizojë marrëveshjen e bashkëqeverisjes me AAK-në e Ramush Haradinajt, Nismën e Fatmir Limajt, AKR-në e Bexhet pacollit dhe deputetët e pakicave.

Lajmin e bëri të ditur Arben Gashi, teksa foli pas mbledhjes së grupit parlamentar të LDK-së ku mori pjesë kryetari i partisë Isa Mustafa, i mandatuari për kryeministër, Abdulla Hoti dhe ku mungoi sërish kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani.

”Sapo të mbyllen koalicionet, ne do të procedojmë me emrin dhe kërkesën te presidentit. “Shpresojmë, besojmë dhe po angazhohemi që brenda ditës sotme dhe të nesërme të mbyllen koalicionet. Sapo të mbyllen koalicionet, ne do të procedojmë me emrin dhe kërkesën te presidenti për të marrë përsipër formimin e qeverisë. Ne nuk mund të marrim përsipër formimin e qeverisë pa i pasur të përfunduar koalicione”.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së mohoi që gjatë mbledhjes së sotme të jetë folur për përbërjen e qeverisë dhe raportet përfaqësimit për secilën forcë  politike, por theksoi se koalicioni I ri ka 64 vota në Kuvend.

”Më rezulton që i kemi 64 vota. Rezulton që i kemi 64 vota…Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Nuk ka kërkim mëshirë, apo diçka. Bëhet një koalicion qeverisës dhe Lista Serbe edhe ashtu ka normën e caktuar në bazën e Kushtetutës për përfaqësim. Nuk e di a do të jetë prezent në seancën e radhës këtu. Por kryetari i LDK-së dhe kandidati për kryeministër kanë komunikuar dhe me Behgjet Pacollin për të parë cilat janë pikëpamjet e tij.”

I pyetur për mospublikimet e letrave të ndërsjella mes kryetarit Mustafa dhe presidentit Thaçi, Arben Gashi tha se ato nuk kanë bazë juridike dhe kushtetuese.

”Letra e presidentit është një letër njoftuese dhe nuk ka bazë juridike dhe kushtetuese që të dërgohet në Kushtetuese. Është e drejtë e kujtdo që konsideron se iu ka mohuar e drejta ose ka një veprim jo kushtetues nga Kuvendi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkohë që janë të paktën tre deputetë të LDK-së, përfshi edhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, që kanë shprehur rezervat e tyre për të votuar një qeveri të një koalicioni të tillë. Ndërkohë që mësohet se sapo të arrihet nënshkrimi i marrëveshjes për koalicionin e ri qeverisës, do të vijohet me dekretimin e emrit të kryeministrit nga Presidenti dhe më pas thirrja e Kuvendit të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme për të votuar programin dhe qeverinë e re.